Saint George Subway Station


Brenda vagonit te subway te mesnates

Njerezit hyjne e dalin si fragmente jete

Pa te shkuar, pa te ardhme

Te prere nga levizja e thikte e dyerve me hapje paralele

te tramvajit

Disa vijne e ikin pa  lene gjurme

Si te ishin gota letre te Starbucks a qese patatinash

Qe hapat i shtyjne mbi dysheme

E disa te tjere, ulur, kruspullosur e te palevizur

ngjajne si semundje te zeza

Mbi rropullite e kuqe te dragoit prej xhami e metali

qe kridhet zhurmemadh e dritandezur 

Ne gryken e tuneleve te shtrember.

 

Ne vagonin e subway te mesnates

Punetoret e nates flene si te munden.

E endrrat jane gazeta te vjetra, palosur me katersh

                                                hedhur poshte sediljes.

 

Indiani i vjeter plot rrudha dremit ne kembe

Si nje fshese me bisht mbeshtetur pas shtylles

A si nje kembe e rrudhosur elefanti

Ne pritje te stacionit tjeter.

Nje grua e ulur fle mbledhur kruspull

Si nje kove uji me lecke brenda.

Infermieret i mbrojne endrrat e tyre duke i mbeshtjelle

                                    me garza te perdorura

per ti vendosur ne kthim si vazo lulesh

ne apartamentet e vogla

me dritare qe shohin vetem nga nata.

 

Askush nuk beson me ne udhetaret e subwayt te mesnates

Se dhe ato vete nuk besojne me askend

As ne te madhin Zot

(mbase ne bileten e llotarise, mbase)

E as ne zemren e thyer,

E  therrmuar, e harruar…

 

Ketu askush nuk te sheh ne sy, askush nuk te thote

Mirembrema a naten e mire

Dhe nese do te ulesh

Ben mire te gjesh nje karrige sa me larg

te tjereve.

Dhe te presesh

Ashtu si te gjithe po presim, qetesish ulur,

Naten kur  ne St. George Subway Station

Kaloresi  me britme do te ngrihet ne kembe mbi kale

Dhe do ja ngule kithtazi ne bark shtizen

Dragoit barkverdhe te nentokes.

 

                                                                        Dhjetor 2008


Eglantina



Xhemali me Fatosin kishin rrahur Ner Kurtin. Të dy ishin fshehur dhe nuk kishin vajtur as në shtëpi se e dinin ç'i priste. Në darkë kthehej nga stërvitja Çilja, vëllai i madh i Nerit dhe do t'i lidhte nyje që të dy. Do t'i shkëlynte si këlysh qeni dhe mire t'ua bënte. Jo se ne ishim me Nerin. Neri ishte i lagjes së Dibranëve përtej rrugës dhe ne nuk na lidhte asgjë me të, por sidoqoftë Neri nuk ngacmonte njeri kot, për më tepër se edhe nuk kishte nevojë. Askujt nuk ia mbante të bënte sherr me Nerin, përveç Gon Mancakut që ishte më i forti i anës sonë dhe kishte katër vëllezër më të mëdhenj, njërin shtangist.

Kurse Xhemali me Fatosin ishin dy vëllezër jevgj binjakë, që ishin më grricat e lagjes. Veç e veç ishin të hollë e të thatë e s'ta mbushnin syrin, por të dy bashkë ishte hera e dytë që rrihnin Nerin dhe njëherë kishin rrahur edhe Gonin. Shtëpinë e kishin më larg nga të gjithë, tek dyqani përballe Hozrashotit, por gjithë ditën i shihje vërdalle nëpër lagje. Nuk kishin asnjë shok dhe i vetmi qëllim i sorollatjes së tyre ishte që të përlanin çfarë të mundnin; kopsa, kopaca, zara, apo edhe letra karamelesh me të cilat ishin duke luajtur kalamajtë e lagjes. Bertit njëherë i kishin gërlep një palë letra bixhozi që i ati i kishte bërë me kartonët e paqetave Adrian, dhe ai kishte ngrëne një dru që ende e mbante mënd, ngaqë i kishte marrë letrat e bixhozit pa leje përjashta.

Ndaj dhe unë me Bertin kishim hipur tek tarraca e pallatit këtë mbrëmje pranvere, që të kontrollonim lagjen se mos na i zinin sytë ata dy të fshehurit dhe të shihnim se çfarë do ndodhte kur të kthehej Çilja nga stërvitja. Kishim  zbuluar një mënyrë për të hipur në tarracë, prej nga ku kontrollonim gjithçka. Aqifi që e kishte shtëpinë në kat të pestë e linte gjithmonë biçikletën 28-she tek korridori i shkallës, zakonisht mu poshtë baxhës se tarracës. Ne vinin një këmbë mes pedaleve, pastaj mbi zgarën e pasme e pastaj mbi shalë dhe duke u mbajtur fort me duar tek shkalla e  parë prej hekuri, hapnim kapakun e baxhës me njërën dorë dhe kërcenim në tarracë. Duhej art i madh në mbajtjen e ekuilibrit, por ne ia arrinim asaj pa shumë vështirësi.

Lagjja e Bërrylit shtrihej e qetë nën rrezet e diellit pranveror që po perëndonte.  Në krahun tonë të rrugës mbizotëronin pallatet e reja që po ndërtoheshin dhe pamja nuk të ofronte ndonjë gjë të bukur veç ndërtesave të ngritura në nivele të ndryshme njëra pas tjetrës, grumbujve të soletave, gropës së gëlqeres, vinçit pesëkatësh që lëvizte mbi shina,  e barakave të punëtorëve ku ruheshin materialet e ndërtimit e lloj-lloj hedhurinash të komunales; por nga ana tjetër e rrugës shtrihej një botë e pazbuluar, me rrugica te ngushta që gjarpëronin mes pemëve dhe shtëpive përdhese të Lagjes së Dibranëve. Shtëpitë priteshin si me thikë tek skarpati buzë e Lanes, që akoma rridhte e lirë dhe pa rrethim betoni deri tek Ura e Drurit. Poshtë urës, aty ku lumjanët nxirrnin rërë për shtëpi dhe ku nga gërmimet përroi ishte thelluar dhe uji na vinte deri mbi gju, ishte "plazhi" privat i kalamajve të lagjes tonë.  Me tej ishte Bacja e Babe Rexhes, e pastaj vinin arat e mbjella me misër. Pas shtëpive nga ana e lindjes ishte fusha e Dibranëve ku të rriturit e lagjes luanin futboll me lekë të dielave dhe ku ne futeshim nganjëherë për të parë ndeshjet. Vetëm të dielave. Ditët e tjera të javës, çdo hyrje në atë lagje i pashoqëruar me një nga çunat që e kishte shtëpinë aty përfundonte me rrahje, ose më e pakta me ndonjë gur llastiku bythës. Kurtet ishin te kudogjendur.

Por megjithë ankthin e pritjes tonë, asgjë nuk e prishte qetësinë e buzëmbrëmjes tiranase. Një grup i vogël njerëzish prisnin tek stacioni i unazës. Të veshur më mirë se zakonisht, sidomos gratë që kishin veshur edhe këpucë me taka, dukej që do të shkonin për një xhiro bulevardit. Aty ishte edhe Leta, gruaja e Teodorit, shefit të kuadrit të Artistikes, që kishte veshur një palë këpuce llustrafini, shkëlqimi i të cilave dukej që nga tarraca. Ato këpuce dhe një pallto peliçe që ajo vishte në dimër, ishin zilia e grave të lagjes. Një zot e dinte se ku i gjente ajo ato rroba. Por Nadirja i kishte thënë njëherë mamasë kur kishte ardhur për vizitë se Leta "e dridhte",  ndërsa Teodorit i ngjiste dora që ç'ke me të për të futur njeri në punë. Përballe stacionit nga ana tjetër e rrugës, ngjitur me shtyllën e telefonit, tek "guri i shtrimë" ishin ulur katër-pesë të përhershmit që gjuanin gocat e lagjes tek prisnin autobusin. Nuk dukeshin mirë aq larg, por tani që u ndez drita me kavanoz e shtyllës, vija bast që ai i cepit ishte Mondi që "ngrente" Irenen, "prostin" e lagjes. E kishim parë me sytë tonë nga tarraca kur kishte kapërcyer në oborrin e saj nga avllia e Kujtes, ndërsa Irena ia bënte me shenjë nga dritarja. Poshtë pallatit tek kinkaleria që dukej si një akuarium i verdhe drite në gjysmë errësirën e mbrëmjes, Sofika, shitësja e kinkalerisë po mbyllte xhamin dhe pasi u ul para tryezës së vogël që ishte njëkohësisht edhe banak shitjeje, hapi sirtarin dhe filloi të numëronte lekët e xhiros, duke i shënuar pastaj në një bllok të madh drejtkëndësh. Pra kishte shkuar ora tetë. Xhemalin dhe Fatosin zor se i kapte më njeri sonte. Ishte koha për të zbritur poshtë, por nuk po na bëhej. Nga ana tjetër e pallatit, që poshtë vinin zërat e vajzave që numëronin me zë të lartë tek luanin me litar para hyrjes së pallatit:

Unë jam lokomotiva

Dhe thërras vagonin e pare

Vagonin e parë…

Shkuam nga ajo anë dhe u varëm tek buza e mbështetëses që të shihnim kush po lozte, por tashmë nata pothuajse kishte rënë plotësisht dhe nuk dalloheshin më fytyrat. Në pallat filluan të ndizen dritat, e ndërsa po bëheshim gati të largoheshim, paf, si një bark xixëllonje në faqen e errët të murit në krah, u ndez një dritë drejtkëndëshe në kat të katërt. Pallati jonë ishte në forme L-je dhe tek këmba e vogël e L-së ishin vetëm dritaret e banjove. Nga dritaret e apartamenteve, nuk mund të shikoje kurrë se ç'ndodhte në banjot përballë, por çuditërisht, nga ai cep i taraces gjithçka dukej si në pëllëmbë të dorës. Drita që u ndez ishte e apartamentit të xha Vasilit dhe ishte e vetmja pa perde. Pamë teto Santën që hyri dhe hoqi një kusi nga banja. Ndërkohe që ajo po dilte, në banjë hyri Tina, nusja e teto Santës. Mbylli derën pas saj me çengel, hoqi fustanin dhe doli vetëm me një këmishë të brendshme me dantella. Pastaj shkoi tek rubineti i dushit, e hapi, e provoi sa i ngrohtë ishte dhe pasi e la ashtu që të rridhte, hoqi këmishën dhe e vari pas derës, dhe ashtu siç ishte e kthyer me kurriz vuri duart mbrapa shpinës e zbërtheu sutjenat. I vari edhe ato pas derës e akoma ashtu e kthyer hoqi të mbathurat e i hodhi në tokë. Pastaj u kthye nxitimthi nga ne ashtu cullak dhe vajti e u fut nën ujin e dushit që po rridhte.

Ne të dy kishim mbetur si të shtangur mbi bordurën e tarracës, pa arritur të mblidhnim veten nga shpejtësia dhe thjeshtësia me të cilën përpara nesh u shfaq për herë të parë misteri femëror. Ndjeva gjuhën që po më rrëshqiste gjithmonë e më thellë në grykë e po më bllokonte frymëmarrjen, kur dëgjova Bertin që pëshpëriti me gjysmë zëri:

-       None zezë çfarë bubleshke!

Se kisha dëgjuar ndonjëherë fjalën bubleshkë dhe me siguri që ai e kishte huazuar atë nga fjalori çuditshëm i gjyshes, por kurrë më parë nuk kisha dëgjuar një fjalë që t'i përshtatej kaq shumë realitetit. Seksi i Tinës nuk ngjante fare me ato vizatimet fëminore që bënim nëpër mure, ku seksin e gocave e vizatonim si një sy vertikal me qerpikë anash. Ajo gjëja e vërtetë që kishte Tina ishte tamam bubleshkë. Asnjë fjalë tjetër nuk na dilte nga goja ndërsa shikonim Tinen që shkumboste gjinjtë e pastaj kofshët e gjata e pastaj ndërsa shpëlahej xhami po bëhej gjithmonë e më opak për shkak te avullit. Por pavarësisht nga kjo ne nuk ia shqisnim dot sytë xhamit derisa më në fund, gjithçka që mund të shihnim ishte vetëm një siluete që mbaroi dushin, mori një peshqir të bardhë e nga lëvizjet kuptohej që po fshihej. Por gjithçka tashmë ishte bërë e mundimshme për t'u shquar si një zgjim i ngadalshëm nga një ëndërr e bukur mëngjesi, ndërsa ne ishim ngulur ne ziftin e tarracës te mbytur nga dita e hënës dhe e yjeve te asaj nate të ngrohte pranvere.

 

                                     * * *

 

Ajo natë ishte një natë masturbimesh të çmendura me figurën e Tinës që zhvishej në banjë. Kur në mëngjes u takuam me Bertin tek hyrja e shkallës që të shkonim në shkollë, me sytë e skuqur e të lodhur nga pagjumësia dhe ëndërrimet me sy hapur, e kuptuam se edhe tek ne kishte ndodhur ajo gjëja fatale që ndodhte nëpër filma. Ishim dashuruar të dy si të cmëndur pas Tinës.

Eglantina ishte gruaja e Petritit dhe ato ishin martuar pak muaj më parë. Ne të gjithë e kishim parë atë kur kishte ardhur nuse dhe nga katet e pallatit njerëzit i hidhnin oriz dhe karamele. Ajo kishte qënë shumë e bukur ashtu si çdo nuse, dhe kaq. Vëmendja jonë ishte e përqendruar tek gjëra të tjera më të rëndësishme, që kishin të bënin me fatet e lagjes dhe nuk merreshim me punë gocash. Por Tina arrinte gjithsesi të futej kalimthi mes nesh. Ishte e vetmja në pallat që hidhte një parfum të veçante që na bënte të merrnim frymë thellë sa herë që na kalonte pranë. Gratë e shkallës thoshin që ajo i hiqte qimet e këmbëve dhe nganjëherë ndizte edhe ndonjë cigare kur ishte vetëm me shoqet e punës, por ne këto biseda nuk na kishin tërhequr kurrë. Deri më tani. Sepse që sot e tutje ato ishin e gjithë bota e jonë.

Tani, sapo ktheheshim nga shkolla, hidhnim çantën në shtëpi, kapnim ndonjë copë bukë dhe uleshim tek shkalla, gjoja për të luajtur "Mos u nxeh", por në fakt prisnim që Tina të kthehej nga puna. E shikonim që larg kur kthehej tek cepi i pallatit dhe s'mund t'ia ndanim dot më sytë. Edhe ajo e kishte vënë re këtë dhe gjithmonë na dhuronte një buzëqeshje kur na kalonte pranë, ndërsa ne e ndiqnim me sy nga pas tek ngjiste gjashtëmbëdhjetë shkallët nga kati i parë në katin e dytë dhe nën këmbët që zbuloheshin pak nga pak nën fustan teksa ngjiste shkallet, përfytyronim gjithë zjarr atë bubleshkën që ne e dinim se si e kishte. I kishim harruar të gjitha lojërat e tjera dhe bisedonim vetëm për të duke pritur të shtunën tjetër kur ajo do të lahej përsëri. E përfytyronim Tinën me ato këmbët e gjata e të lëmuara, pa asnjë qime, ulur në një karrige tek pinte një cigare me filtër që e mbante mes dy gishtave të shtrirë, mu si ato këngëtaret italiane. Pastaj në një vaskë banjoje nga ato që shihnim nëpër filma, ku ajo rrinte e zhytur në ujin me shkumë dhe ndërsa tymoste cigaren, nga ana tjetër mbante një gote me konjak që e pinte herë pas here. Gati e besonim se i kishim parë vërtet të gjitha këto dhe sikur herën tjetër nga penxherja e banjos të shihnim një vaskë të bardhë me këmbë floriri në vend të dushit me vajgur në atë banjë dhe dy shërbëtore që do t'i jepnin dorën për ta futur ne vaske, e pastaj njëra t'i jepte një cigare dhe tjetra një gotë konjak, do të na dukej si gjëja më normale.

 

 

* * *

 

Më në fund edhe e shtuna e asaj jave të pafund, erdhi. Kurrë më parë nuk e kishim menduar se e vetmja arsye për të cilën do prisnim të vinte e shtuna do të ishte larja dhe dushi. Zakonisht e shtuna ishte dita e grave. Nëpër apartamente fillonte zhveshja e dyshekëve nga carcafet dhe e jastëkëve nga këllëfët; plaçkat që kishim veshur gjatë javës mblidheshin nga lart e poshtë për t'u larë ndërsa ne rrinim të gjithë me pizhame në kuzhinë si të burgosurit. Soba ndërkaq mbushej mirë me dru sa të bubullinte dhe nga dera e banjos dilte here pas here  avulli i ngrohtë që vinte nga lavatricja njëzetmijeshe e cila duhej hapur në mes të procesit për t'i hedhur sapunin e grire, apo ngaqë mamaja përpiqej te çlironte me një kapëse te madhe druri carcafin e përvëluar që e kishte mbledhur centrifuga, ndërsa mallkonte të gjithë lavatricet e botës. Pastaj vinte radha jonë që hiqnim një nga një zhulin e javës, erën e djersës kolektive të klasave në shkollë, qëndrave të punës, autobusave dhe zyrave, flokët që fryheshin si push zogu të çliruar nga lyra, ndërsa lëkurat tona dëshmonin sërish se i përkisnim racës së bardhë dhe nuk ishim "këlyshë jevgjish". Ndërkohë kuzhina kishte marre formën e një kampingu indian. Rrobat vareshin nga telat rreth qyngjit të sobës dhe nga dorezat metalike rreth saj. Askush nuk lejohej të zbriste nga divani me këmbë të zbathura a të dilte nga kuzhina me kokë të lagur. Mbi tavolinën e mesit shtrohej më dysh batanija ushtarake që i nënshtrohej përdorimeve civile. Asnjë nga brimat dhe djegiet mbi të nuk ishte bërë nga plumbat e armikut, por nga hekuri i nxehtë harruar mbi të njëherë se po digjej sultiashi, njëherë sepse dikush përplasi kokën me derën e kuzhinës apo rrëshqiti në banjo, njëherë se komshia erdhi të kërkojë fare kosi, apo se dikush mori në telefon në momentin e gabuar dhe u harruam pas muhabetit. E vetmja kënaqësi e vërtetë ishte ai gjumi i të shtunës në darke me çarçafët e larë që vinin era sapun dhe me idenë se nesër mund të zgjoheshe kur të doje ngaqë ishte pushim, që të sillte një ndjenjë moskokëçarje të pakrahasueshme me gjë tjetër. Por kjo nuk ishte më e shtuna e jonë.

Sapo u kthyem nga shkolla, shqetësimi i parë ishte nëse biçikleta e Aqifit ishte në korridor te shkalles. Kur u siguruam që ajo ishte aty vazhduam me planet e tjera. Gjatë mëngjesit kishte rënë pak shi, por tani qielli ishte hapur dhe premtonte kohë të mirë. Bertit i ra ndër mend që duhej të dilnim vullnetarë që tani për te bërë pazaret që na takonin, që pastaj të mos na kërkonin lart e poshtë që për të na çuar të blinim një paqete tek Sofika apo një pako sheqer a kafe tek Meremja. Vullnetarizmi jonë i çuditi mamatë , por jo aq sa të na linin të iknim pa bërë ca pazare të vogla rreth e rrotull. Pasi i mbaruam të gjitha, në ora katër ishim jashtë tek shkalla me "Mos u nxe-në" në duar. As Tarzani që luante në katër e gjysmë, dhe as futbolli tek fusha e vogël nuk na shkulte nga istikami. Dhe tamam rreth orës pese e gjysmë, kur u duk se koha kishte ngecur, Bertit i erdhën drutë. Dy lata për t'u carë dhe ngjitur katër kate. Të kërkonim ndihmë nga kalamajtë e tjerë me të cilët nuk kishim denjuar të luanim futboll atë pasdite ishte e kotë. Për fat babai i Bertit zbriti poshtë dhe filloi të çante drutë, kështu qëe ne na mbetej vetëm që t'i ngjisnim me krahë nëpër shkallë, ndërsa mamaja e tij i stivoste ne ballkon. Pothuaj i kishim mbaruar ndërsa mbrëmja filloi të binte dhe kur pamë dritën e banjos që u ndez në katin e katërt, për pak sa nuk na u mor fryma.  Grumbullin e vogël të druve që kishte mbetur e ngjitëm pothuajse me vrap nëpër shkalle, dhe pas barrës së fundit, pa pirë as gotat me limonadë që na ofroi mamaja e Bertit, vrapuam për në tarracë, tek qoshja e kinemasë siç kishim filluar ta quanim. Zemra na u shkri kur pamë në banjë Petritin që me një pincë në dorë përpiqej të rregullonte diçka brënda dushit me vajgur. Pra nuk kishim humbur gjë. Petriti pasi punoi edhe pak me dushin nxori shkrepësen dhe e ndezi. Pas tij hyri Tina  dhe filloi të pastronte banjën. Emocionet tona rriteshin mengadalë si zhiva në termometër. Nuk e konsideronimin më veten si përgjues, por ndjeheshim tashmë si pjesë e jetës së saj, dhe ajo gjithashtu ishte bërë si një pjesë e jona. Veprimet e saj ishin të lirshme e të shpenguara jo se ajo nuk e dinte se ne po e përgjonim nga cepi i tarracës, por sepse ajo tashmë na quante pjesë të saj e nuk kishte më turp prej nesh. Ne po rriteshim me minuta në atë cep tarrace të katit të pestë, dhe po fillonim të kuptonim se çdo të thoshte të posedoje një femër, të ishe kaq shumë pjesë e saj, sa të mos konsideroheshe më as si pjesë. Ishim hutuar kaq shumë në këto ëndërrime paraprake sa gati sa  nuk ramë nga tarraca kur dëgjuam fare pranë një zë të rrituri

- Po ju cfare bëni këtu?

Ishte Ladi, komshiu i katit të tretë.

- Ne? Hic, po rrimë – u përgjigjëm të dy në nje gojë dhe u ngritëm në këmbë buzë taracës si të zënë në faj, por edhe pa i shqitur dot sytë nga dritarja atje në cep.

Ladi nuk na besoi. U afrua pa folur aty ku ishim ne dhe ndoqi vështrimin tonë. Për dreq, tamam në atë cast, Tina mbylli derën e banjos dhe me fytyrë nga ne filloi të zberthënte komcat përpara të fustanit. Pamë Ladin që zgurdulloi sytë, por i hutuar pas pamjes nuk foli për disa sekonda, por pastaj e mblodhi veten.

- Po ju kopila të vegjël, - na u kthye ne – rrini e përgjoni gratë e pallatit. Zbrisni poshtë me vrap se ju hodha me kokë poshte nga taraca. E po e hapët gojën do ju vi nëpër shtepia t'iu them prindërve se cfare bëni natën.

Ne u ngritem mengadale dhe u larguam nga cepi i taracës drejt baxhës. Të kapur me presh ne duar, nuk ia vlente të thoshim asnjë fjalë. S'kishim bërë as dy hapa kur dëgjuam prapë Ladin që bërtiti me një zë të paduruar pas nesh.

-Hë more? C'me ecni si nuse të reja? Me vrap more thashë, zhdukuni që këtu se iu hodha poshte.

"Mesa duket s'po i durohet sa të shohë për vete!" desha të thoja po pastaj e qepa.

U ulëm poshtë nga baxha dhe ndërsa zbrisnim shkallët e kateve, dëgjuam dikë që thërriste Ladin.

- O Lad, o gjytyrym. Luje pra se na u keput qafa!

Ladi, pra nuk kishte hipur kot në tarrace. Ai kishte ardhur që të kthente antenën nga italiani për të kapur "Canzonissima-n" dhe na kishte kapur duke përgjuar Tinën. Dhe tani me siguri po e shikonte për vete. Për të vërtetuar dyshimet tona dolëm nga pallati dhe hipëm tek mimoza përkarshi, që të shihnim më mirë. Koka e Ladit nxinte tek cepi i tarracës përkundrejt qiellit blu të mbrëmjes.

- Kokëmuti – tha Berti me një urrejtje dhe pafuqi që i dilte nga shpirti. Ne na përzuri që të mos e shihnim dhe tani e sheh për vete. Kurrë nuk e kishim ndjerë rrëmbimin e diçkaje tonën prej dikujt tjetër sa këtë rradhë, por nuk kishim asnje mënyrë se si ta mbronim pozicionin tonë. E vetmja shpresë ishte e shtuna tjeter.

      ***

Të shtunen  tjetër, në ora 8 fiks, kur pamë nga pozicioni ynë maje mimozes Ladin dhe Gim Caracin që e thërrisnin ashtu ngaqë e kishte kokën të vogel e të rrumbullaket si carac, tek po ngjiteshin nëpër taracë, e kuptuam se e kishim humbur davanë pergjithmonë. Pas disa minutash kokat e tyre që nuk dukeshin nga poshte, por që ne i shihnim fare mire nga pema, u shfaqën në këndin e taracës. Dhe pa kaluar as pesë minuta, ja, u ndez drita e banjos. Tani Tina me siguri që po hiqte fustanin e po zhvishej ashtu e pafajshme, pa e ditur se ata dy rrugacet po e shikonin nga dritarja. Ndjenim zemrat qe na bucisnin e syte qe na digjnin nga lotët e inatit. Sikur të kishim pasur qoftë edhe një shans në njeqind që do të mund t'i kishim rrahur a përzënë që atje, do ta kishim përdorur pa na u dridhur syri, por e keqja ishte që nuk kishim as edhe një.

- Duhet të bejme dicka, - i thashe Bertit me zërin qe më dridhej nga urrejtja. Ato na përzunë ne, vetëm që të zinin vendin tonë.

-       Cfare thua ti që të bëjmë.

-       Nuk e di – iu përgjigja. Po sikur të shkojmë e ti biem derës së xha Vasillaqit e t'u themi se ca njerëz po iu përgjojnë nga taraca?

Berti u mendua ca para se të më jepte një përgjigje.

- Po sikur të na pyesin se nga e dimë ne?

Hmm. Këtë se kisha menduar. Imagjinoja xha Vasillaqin me duart e qafën të mbuluar nga lesh, që na hapte derën dhe ne që i shpjegonim se Tinën po e përgjonin. Jo. Nuk bënte.

- Po ti cfare thua – e pyeta me inatin e njeriut që e kishin nxjerre budalla më përpara. Hë pra na jep një mendje ti që e mban veten për më të zgjuar.

- Po sikur t'i themi Besim Dylekshit – filloi të fliste Berti me zë te ngadaltë, duke u menduar. Po sikur t'i themi Besim Dylekshit që Ladi me Gimin kane hipur në tarracë të kthejnë antenën nga italiani që të shikojnë canzonissiman. Po i kapi Besimi ato , i fut në burg.

Besimi Dylekshi ishte spiuni i lagjes. Atë e kishin frikë jo vetëm ne të vegjëlit, që na kishte çarë kushedi se sa topa me thikë kur luanim përpara ballkonit te tij në kat të parë, por edhe prinderit tanë qe ishin "kuadro" nuk guxonin t'i flisnin. Ai përvecse që ishte minator i dalluar dhe punonte për llogari të vitit 1989, kishte dalë dy herë në televizor dhe ishte edhe anëtar i Grupit të Kontrollit Punëtor të Tiranes. Babin e Gertit, që i binte violincelit, ai e kishte hequr nga puna tek Opera.

Kur Kontrolli Punetor kishte vajtur tek teatri i Operas dhe i Baletit, orkestrantët kishin zënë të qeshnin nën buzë me njëri tjetrin. E ku merrnin vesh ata  punëtorë nga muzika, që t'i zinin në gabim e t'i kritikonin orkestrantët. Por punetorët nuk kishin thënë asnje fjale. Ishin ulur në dy rreshtat e parë të sallës së zbrazur dhe kishin dëgjuar për dy orë orkestrën që praktikonte Moxartin. Pastaj njëri nga punëtorët i ishte drejtuar Perlatit, dirigjentit të orkestrës.

- Shoku Perlat! Desha të shoh pak dy libra nga ato të violinistëve.

Perlati i hutuar ishte ngritur dhe kishte marre dy libretet nga dy violiniste të rreshtit të parë.

Kryetari i kishte parë titujt e libreteve, dhe pastaj i kishte hapur dhe krahasuar dy faqet e para. Muzikantët kishin ngelur gojëhapur. Nuk e dinin se ato dreq punëtorësh kishin bërë solfezh dhe dinin të lexonin edhe partiturat. Por kryetari i grupit e theu përnjëherë misterin.

- Pra të gjithë violinistët i bien të njëjtit liber dhe të njëjtës muzikë, në të njëjtën kohë, apo jo? - kishte pyetur kryetari i grupit, në zërin e të cilit ndihej krenaria e zbuluesit triumfator.

- Po – i ishte përgjigjur dirigjenti, nga sytë e cakërritur të të cilit dukej qartë se nuk po kuptonte asgjë.

- Po atëhere nëse i bien një muzike, pse duhen 12 violina që t'i bien në të njëjtën kohë – kishte pyetur triumfator ai. Pse nuk lini një apo dy violina le të themi e të tjerët të bëjnë një punë tjetër? A i keni pare grupet e muzikës popullore. Me një saze e një gërnete kane krijuar me mijëra këngë të mrekullueshme për Enverin dhe Partine. Kurse këtu, dymbëdhjete veta për t'i rëne një violine qaramane iu-iu gjithë ditën?

Orkestrantët kishin mbetur me goje hapur nga habia. Perlati kishte bere nje perpjekje te shkathet per t'iu shpjeguar se edhe ne grupet e muzikes se mrekullueshme labe, njezet burra rrine bashke vetem duke bere eeeeee… ne kor, por nje nga anetaret e grupit qe duhet te ishte nga laberia kishte kërcyer.

- Degjo t'i shoku dirigjent. Mos na e krahaso muziken patriotike labe me keto terci vercit borgjeze me violina qe beni ju ketu, se pastaj ua qerojme mire ato lakrat nga koka. Koret bejini edhe me njemije veta po deshët, por me keto dhjete violina  e dhjete buri qe i bien te njejtes note gjithe diten me duket se keni krijuar nje strofke te ngrohte rehatie personale. Por do ta shohim me mire ketë pune ne mbledhjen e kuadrit te partisë.

Pas dy javësh njëmbëdhjete veta ishin "shkurtuar" dhe babai i Bertit ishte bere tani mësues violonçeli ne Pallatin e pioniereve.

 

Ndaj edhe unë kruajta kokën. Besimi ishte njeriu i fundit ne pallat me te cilin do doja te kisha te beja.  Asnjë fëmije nuk kishte trokitur kurrë ne shtëpinë e tij, pervecse kur i luteshin te na i kthente topat e futbollit mbrapsh. Te shkoje për çfarëdolloj arsye tjetër do te thoshte te ishe shok me Besimin.

- Berto, po sikur të quhemi edhe ne "fuksa" si Besimi pastaj!

Berti nuk dinte c'te thoshte. Po te bëheshim "fuksa" e të na shihnim që spiunonim tek Besimi, dorë me një që askush nuk do të donte të kishte më shoqëri me ne.

- Po sikur ti shkruajmë një letër xha Vasillaqit dhe t'ia fusim poshtë derës.- me lindi ideja mua. Kështu as "fuksa" nuk bëhemi, as ato nuk i leme që ta shohin Tinën.

Ideja ishte e shkëlqyer, ngado qe ta merrje. Tinën s'do e shihte njeri, aq me tepër Ladi me atë kokecaracin tjetër, dhe nuk merrej vesh as ne nuk dilnim askund qe dinim diçka E lame qe letrën ta shkruanim nesër qe ishte dite e diele tek shtëpia e Bertit.

 

 

E diela ishte dita e pastrimit të territorit. Gratë e pallatit kishin dale me ca fshesa të vjetra e ca me degë pemësh me gjethe, për të pastruar rreth pallatit. Era e ëmbël e pluhurit të lagur atë mëngjes me një diell të ngrohte e kishte mbushur ajrin duke u përzier me erën e mimozave të sapoçelura. Tina ishte mes tyre gjithashtu, duke pastruar. Kur e pashe ashtu mes grave ndjeva një lloj krenarie te brendshme. Ajo s'do ta mësonte kurrë se c'po bënim ne për ta mbrojtur. Vrapova drejt shtëpisë së Bertit, i rashe derës dhe prita sa te me kontrollonin nga syri magjik i derës se kush isha, qe ta hapnin. Vetëm Besim Dylekëshi dhe Berti kishin sy magjik tek dera. Besimi qe te spiunonte kurse mamaja e Bertit qe te mbrohej nga spiunet. Ajo punonte rrobaqepëse dhe qepte edhe ne shtëpi privatisht për vajza dhe derën nuk e hapte pa e pare me pare se kush trokiste. Kur hyra brenda Berti akoma po hante përsheshin me qumësht mes ca copave te kuqe, gershereve gjigante te zeza dhe ca shkumësave  e cikrikeve te perit mbi tavoline. Sapo me pa e mori tasin me vete dhe i tha se emes se do bënim bashke ca detyra, ndaj do shkonim nga dhoma.

Letren dhe lapsin i kishte bere gati qe mbreme. Une kisha menduar fjalet me kujdes gjithë natën. Do te shkruanim: "Xhaxhi Vasillaq. Tinën e përgjojnë nga dritarja kur lahet. Kujdes!"

Edhe Berti qe donte te diskutonte çdo gjë, kësaj radhe nuk kishte se cfare te thoshte. Me shkurt dhe me qarte s'kishte ku behej.

Problemi i dyte ishte se si do ta shkruanim qe mos te merrej vesh kush e kishte shkruar. Ne te gjithë librat qe kishim lexuar, letrat anonime shkruheshin me dorën e majte. Ndaj dhe ne kështu do bënim. Megjithëse Berti tha qe shkrimi te behej me i ngatërruar, do ta shkruanim një fjale unë dhe një fjale ai me dorën e majte. Kështu s'do kishte qen kufiri qe ta kuptonte.

- Dhe unë them qe letrën ne fund ta firmosim "Anonim" – tha Berti.

- Nuk e kuptoj – kërceva unë. Nëse duam qe te mos merret vesh se kush e ka shkruar, pse duhet te shkruajmë anonim.

- Sepse kjo tregon qe letra është shkruar nga një person anonim.

- Jo – ngula këmbe unë. Nëse e leme bosh, atëherë kuptohet qe është anonim.

- Po mire – tha Berti duke e përdredhur zërin. Pse atëherë poshtë fjalëve te urta kur nuk dihet kush e ka thëne shkruhet anonim. Po te ishte ashtu e linin bosh dhe e kuptonin te gjithë.

Ky lloj arsyetimi nuk me kishte shkuar nder mend ndaj u dorëzova. Morëm një cope letër nga një fletore shkrimi dhe e shkruajtem me germa te mëdha shtypi me dorën e majte, hera njeri e herë tjetri.

XHAXHI VASILLAQ. TINEN E SHOHIN NGA DRITARJA KUR LAHET. KUJDES!

                                                                        ANONIM

Letrën e palosëm me dysh, dhe unë shkova dhe e futa poshtë derës, ndërsa Berti bënte roje. Akoma nuk kishte kaluar pasditja dhe ne filluam ti shohim efektet e saj.

Teto Santa atë pasdite i vuri një perde te bardhe me fruta dritares se banjës, dhe ne mbrëmje, kur u ndez drita, pame se pas perdes se bardhe ishte edhe një perde tjetër e trashe me kuadrate te kuqe e te zeza qe mezi e depërtonte dritën.

Te nesërmen një saldator qe e kishte sjelle Besimi saldoi dy copa hekuri tek kapaku i baxhës se tarkaçes dhe ne to u var një dry i madh. Dryni kishte dy kopje çelësi; një e mbante Besimi dhe një Aqifi i katit te peste. Pas tre ditësh, Aqifit i vodhën biçiklete nga shkalla. Besimi tha qe me siguri atë e kishte vjedhur dikush nga shkalla, pasi ai nuk kishte pare njeri te dilte me biçiklete ne kohen kur mendohej qe e kishin vjedhur. Unë me Bertin ishim të sigurtë që atë e kishte vjedhur Ladi, por të themi të drejtën as qe na behej me vone për biçiklete e Aqifit. Ajo e kishte kryer misionin e vet. Nuk na behej me vone as për dritaret qe mbylleshin me perde apo baxhat me celes.

Për ne gjeja me e rëndësishme ishte te uleshim tek shkallet dhe te luanim "Mos u nxeh" duke pritur sa te vinte Tina nga puna. Ta shoqëronim me sy tek ngjiste gjashtembedhjete shkallet, me fustanin qe i zbulonte një milimetër më shumë kofshët pas çdo shkalle që ngjitej e pastaj te dëgjonim ndërsa kthehej tek korridori i shkalles e takat e saj që dëgjoheshin te trokisnin derisa arrinte tek dera e apartamentit. E kur futej brenda, ajo ulej ne karrige, e sa kohe qe ishte vetëm e ndizte një cigare e here pinte edhe një gote konjak qe e rrotullonte me gishtat e gjate. Dhe mos na pyet nga e dinim! E dinim edhe pa e pare. Ashtu si pa pasur nevojë ta shihnim, edhe që sipër fustanit, e dinim si e kishte bubleshken.

 

Mesime urtesie


 

Fillimi ishte premtues.

 

I lindur në ahur mes deleve e dhive

lakuriq, si një kafshe e vogël,

klithje  për sisë

me kthetrat ne ajer.

 

Jozefi nuk pyeti shumë.

Vete ishte plakur. Maria ishte e re dhe bukur, por sidoqoftë

                                                            ishte ende e tija.

Burrë i mënçur Jozefi.

Që fëmije filloi të të mësonte për llojet e drurëve;

si bëhen tavolinat, dollapet, karriket

dhe të mësoi zanatin e ndershëm të zdrukthtarit.

Gjithçka mirë deri këtu.

 

Pastaj filluan zdërhalljet e natës

Dhe miqësite me peshkatarë peshqish, peshkatarë xhepash

                                                                 e peshkatarë zemrash.

Besomë, asgjë e mire nuk vjen nga të përdalat

si Maria Magdalena,

qofshin puthjet e saj edhe më të ngrohta e erëmira

se vaji në kandilin e Perëndise!

 

Pastaj fillove t’u japesh mend të tjerëve.

Tregëtareve t’u thuash çfarë të shesin në tezga

e prifterinjve çfarë të predikojnë.

 

Dëgjo djalë i Jozefit:

Asnjë bandë shënjtoresh nuk është më e fortë se policia,

Dhe për një grusht para, pikerisht atëhere kur se pret

dikush do të tradhëtoje

 

e në kryq do përfundosh!

 

 

 

 lindur në ahur mes deleve e dhive

lakuriq, si një kafshe e vogël,

klithje  për sisë

me kthetrat ne ajer.

 

Jozefi nuk pyeti shumë.

Vete ishte plakur. Maria ishte e re dhe bukur, por sidoqoftë

                                                            ishte ende e tija.

Burrë i mënçur Jozefi.

Që fëmije filloi të të mësonte për llojet e drurëve;

si bëhen tavolinat, dollapet, karriket

dhe të mësoi zanatin e ndershëm të zdrukthtarit.

Gjithçka mirë deri këtu.

 

Pastaj filluan zdërhalljet e natës

Dhe miqësite me peshkatarë peshqish, peshkatarë xhepash

                                                                 e peshkatarë zemrash.

Besomë, asgjë e mire nuk vjen nga të përdalat

si Maria Magdalena,

qofshin puthjet e saj edhe më të ngrohta e erëmira

se vaji në kandilin e Perëndise!

 

Pastaj fillove t’u japesh mend të tjerëve.

Tregëtareve t’u thuash çfarë të shesin në tezga

e prifterinjve çfarë të predikojnë.

 

Dëgjo djalë i Jozefit:

Asnjë bandë shënjtoresh nuk është më e fortë se policia,

Dhe për një grusht para, pikerisht atëhere kur se pret

dikush do të tradhëtoje

 

e në kryq do përfundosh!